Ndalimi i shoqërimit në Londër, shtetrrethim në Francë, mbyllje e shkollave në Poloni, një sërë masash kufizuese të ashpra hynë sot në fuqi në Europë me shpresën për të frenuar valën e dytë të pandemisë së COVID-19.
Rastet e përditshme të COVID-19 kanë arritur nivele rekord në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë dhe kontinentin amerikan, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten.
Maria Van Kerkhove e OBSH-së u tha gazetarëve të Premten se 80% e vendeve të Evropës po përjetonin rritje të ndjeshme në rastet e COVID-19.
Në Britani, ku Universiteti Johns Hopkins raportoi gati 19,000 raste të reja të premten, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se do ta detyronte Mançesterin e Madh të vendoste nivelin më të rreptë të kufizimeve të koronavirusit të vendit pasi zyrtarët lokalë refuzuan të vendosnin kufizime në zonat me norma të larta infektimi.
Në Londër, është e ndaluar duke nisur nga sot të shoqërohesh në ambiente të brendshme me persona jashtë familjes. Më shumë se 15 000 raste janë regjistruar të premten në Britaninë e Madhe, një prej vendeve më të prekura në Europë nga COVID-19 me 43 400 të vdekur.
Të shtunën, Franca do të fillojë një ndalim-qarkullim nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit për rajonin e Parisit dhe të paktën shtatë qytete të tjera: Lion, Grenoble, Aix-en-Provence, Montpelie, Lilë, Rouen dhe Saint-Etienne. Ndalim-qarkullimi do të qëndrojë në fuqi për të paktën katër javë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh në mbarë vendin pasi panë raste të reja rekord të COVID-19. Kufizimet përfshijnë mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik.
Merkel tha të Premten se një samit i planifikuar i Bashkimit Evropian mbi politikën e Kinës të bllokut 27-vendesh në Berlin muajin e ardhshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë së ringjallur.
Italia raportoi më shumë se 10,000 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit të Premten, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në vend. Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Britanisë, duke raportuar më shumë se 36,400 vdekje që nga fillimi i pandemisë në shkurt.
Që nga mesdita e së Premtes, kishte më shumë se 39 milion raste COVID-19 në të gjithë botën dhe më shumë se 1.1 milion vdekje globale COVID-19, sipas Universitetit Johns Hopkins.



