Ndahet nga jeta përkthyesi dhe publicisti i njohur Ilir Hashorva. Ai humbi betejën me COVID-19 thanë famlijarët.
“Mbrëmë në New York u nda nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej sëmundjes Covid-19, një intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, një person fisnik që gëzonte respektin në gjithë rrethin shoqëror e më gjerë. Duke lënë pas të shoqen, Lindën dhe dy fëmijë,et Dritanin dhe Enin, si edhe motrën e tij, dr. Hysnije Shtylla”, shkruan në profilin e tij në FB, kunati i të ndjerit, Mehmet Shtylla.
Familja Hashorva kishte emigruar në New York të SHBA-ve në fillim të viteve 2000.
Iliri rridhte nga një familje gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar.
Në vitin 1920, Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend.
Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet '30 deri në ato '50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-s ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e “grupit social-demokrat”. Profesor Aliu e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.
Iliri ka lindur më 1 tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë, ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si shef i Laboratorit të këtij instituti.
Vitet e fundit, ai është marrë me publicistikë, ka botuar artikuj dhe përkthime në mediat e Tiranës.



