
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka reaguar përsëri në lidhje me akuzat e PD-së se testi i parë i maturës u publikua para nisjes së provimit.
Ajo e quan gjithë këtë një situatë të stisur politike, për të përdorur politikisht zemëratën e prindërve dhe maturantëve shqiptarë.
Sipas saj, koha kur kopja dilte dhe shitej nga institucionet shtetërore ka marrë fund para 5 viteve, ashtu siç ka perënduar edhe koha kur ministri, në varësi të provimit vendoste kufirin e kalimit për nxënësit sipas dëshirës.
“Koha kur kopja dilte nga zyrat e Ministrisë së Arsimit apo nga zyrat e Agjencisë Kombëtare të Provimit, ka ikur. Fatkeqësisht shoh sot ekraneve të televizionit pikërisht ata njerëz që ishin kthyer në mjeshtra të shitjes së kopjes pa filluar shpërndarja e tezave të provimit. Dhe e dyta, ka 5 vite që nuk ndodh më ajo që ndodhte 5 vite më parë. Korrigjoheshin provimet dhe vinin te ministri dhe nga mideja politike e ministrit, që duhet domosdoshmërisht që atë vit të kishim mbi 90% apo mbi 95 % kalueshmërinë, ulte dhe ngrinte kufirin e kalueshmërisë sipas dëshirës", tha Nikolla.
Sipas numrit një të arsimit, ka absurditete të tilla që në 1 vit të maturës shtetërore, kufiri i poshtëm nga ku fillon vlerësimi, fillonte nga 7% në lëndën tjetër, 8% dhe pastaj lëndën tjetër ndryshonte 10%, kjo gjë ka marrë fund.
Nikolla deklaroi nga Tropoja gjatë turit të llogaridhënies se "kemi një proces të qartë që në fillim kush janë kriteret mbi bazën e të cilit bëhet vlerësimi duke ia hequr të drejtën ministrit që të vendosë në mendjen e tij në atë që është djersa, puna dhe mundi i gjithë maturantëve shqiptarë”.



