MCN sjell një tjetër histori të një familje nga Kurbini e cila vijon të jetojë në një çadër që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Bëhet fjalë për familjen e Tahir Muratit në fshatin Shullaz të Kurbinit që jeton në çadër që nga tërmeti i 26 nëntorit pasi banesa e tyre u bë e pabanueshme.
Reporteri jonë atje, Juli Simoni i cili ka parë nga afër kushtet e vështira ku jeton kjo familje me 6 anëtarë bën të ditur se ata jetojnë në një çadër verore të vendosur në oborrin e shtëpisë edhe pse i është premtuar prej kohës procesi i rindërtimit, por edhe sot që flasim vazhdojnë me të njëjtat kushte.
Vetë kryefamiljari rrëfen se jeton në këto kushte që nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se kanë kaluar aty dy dimra të ftohtë dhe po kalojnë edhe një të tretë. Ai shprehet se prej 6 muajsh ka përfituar edhe bonusin e qerasë, por ka zgjedhur të vijojë të qëndrojë aty në ato kushte sepse nuk dëshiron që të ndërrojë shkollën për fëmijët e tij.
Ndihma ekonomike dhe dëmshpërblimet janë një sorollatje, është një zvarritje dhe orvatje ku qindra qytetarë po sorollaten në dyert e postave ku asnjë nuk të jep përgjigje për bonusin e qerasë. Në prag festash janë bllokuar në Kurbin, bonusi i qerasë, dëmshpërblimet dhe ndihmat. Kam 6 muaj që trajtohem me bonus qeraje, por këtë muaj gjithçka është e bllokuar.
Nuk kam kërkuar banesë me qera sepse po sakrifikoj për fëmijët të cilëve nuk dua ti humb shkollën sepse janë shumë mirë me mësime. Temperaturat janë të ulëta por jam i detyruar që të mos e humbin shkollën fëmijët sepse sot tekstet shkollore që ka zona jonë nuk i kanë shkollat e tjera. Jemi në mëshirë të fatit.
Më parë nuk jam trajtuar me bonus qeraje sepse më ishin bllokuar dokumentacionet duke më thënë se nuk më takon, ishte iniciativa e kryetares së bashkisë që më ndihmoi ta përfitojë. Janë bërë shumë premtime dhe asnjë nuk është mbajtur, asnjë shpresë dhe asnjë besim nuk kam në këtë shtet.



