Në fshatin Mafsheq, banorët përballen prej vitesh me mungesën e kushteve bazë dhe me atë që e konsiderojnë neglizhencë nga institucionet. Një nga problematikat kryesore është qendra shëndetësore, e cila, sipas banorëve dhe punonjëses së saj, është larg kushteve minimale për të ofruar shërbim shëndetësor. Qendra është e amortizuar dhe shumë prej pajisjeve, përfshirë krevatin dhe tavolinën e punës, janë siguruar apo improvizuar nga vetë punonjësja dhe bashkëshorti i saj. Në qendër mungon edhe uji i rrjedhshëm. Punonjësja detyrohet ta mbushë me bidon dhe ta mbajë aty për nevojat e përditshme. Edhe për riparimet e qendrës, ajo thotë se është detyruar të ndërhyjë së bashku me bashkëshortin e saj.
Sipas saj, janë bërë disa kërkesa pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Në këto kushte, kjo hapësirë duket më shumë si një qendër e improvizuar sesa si një qendër shëndetësore ku banorët mund të marrin shërbimin që u takon.
Një tjetër problem është shkolla e fshatit, e cila është e mbyllur. Fëmijët detyrohen të udhëtojnë drejt qytetit për të ndjekur mësimin, ndërsa transporti sigurohet nga familjarët me të ardhurat e tyre, pasi institucionet nuk u ofrojnë një zgjidhje për transportin. Banorët tregojnë se edhe kur shkolla ishte e hapur, procesi mësimor nuk zhvillohej normalisht për shkak të mungesës së mësuesve. Për këtë arsye, ata kishin ndërmarrë edhe një peticion, duke kërkuar zgjidhjen e problemit. Në pamundësi për të pasur një arsimim normal në fshat, familjet tashmë zgjedhin t’i dërgojnë fëmijët larg, edhe pse kjo u kushton kohë dhe para.
Banorët ankohen edhe për mungesën e rrugëve, ujit dhe shërbimeve bazë. Ata thonë se ndihen të lënë pas dore dhe se nuk kanë ku të çojnë prodhimet e tyre. Sipas tyre, jetojnë në kushte që i krahasojnë me ato të një kohe tjetër, pa infrastrukturën dhe shërbimet që duhet të garantojë shteti. Përballë këtyre shqetësimeve, përballemi edhe me kryeplakun e fshatit, i cili i minimizon problematikat e ngritura nga banorët.
Në fund, ekipi i Xhadat shkon në Bashkinë Krujë, ku depoziton një kërkesë zyrtare për të mësuar nëse institucionet janë në dijeni të problematikave të banorëve të Mafsheqit dhe nëse gjatë viteve të fundit është kryer ndonjë inspektim apo është marrë ndonjë masë për zgjidhjen e tyre.
A janë institucionet në dijeni të realitetit në Mafsheq, apo ky fshat ka mbetur jashtë vëmendjes së tyre?



