Personat me aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara do të kenë në dispozicion një manual dedikuar edukimit dedikohet edukimit për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Manuali, i përgatitur nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare, i dedikohet prindërve dhe kujdestarëve dhe është një material që ekspertët e fushës e konsiderojnë si “të munguar prej vitesh”.
Manuali përmbledh udhëzime të thjeshta, praktike dhe të qarta për familjet dhe kujdestarët që përballen çdo ditë me sfida të shumta.
Manuali është hartuar me gjuhë të thjeshtë, të lehtë për t’u kuptuar, duke përfshirë informacione thelbësore rreth zhvillimit seksual, shëndetit riprodhues, marrëdhënieve të shëndetshme, parandalimit të abuzimit seksual dhe ndërtimit të aftësive sociale.
Ky dokument synon të thyejë tabutë që shpesh shoqërojnë temën e edukimit seksual, duke ofruar udhëzime të qarta për t’i ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale të jenë të informuar dhe të mbrojtur.
Sipas autorëve, qëllimi i manualit është t’u japë zë dhe mbështetje pikërisht atyre familjeve që shpesh ndihen të lëna në hije.
“Prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara përballen me sfida që rrallë bëhen pjesë e debatit publik. Aq më tepër kur flitet për shëndetin seksual dhe riprodhues që është tabu për gjithë shoqërinë. Ky manual është një hap i vogël, por i domosdoshëm, drejt lehtësimit të përditshmërisë së tyre,” u shpreh Liliana Dango, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare për Shërbime Komunitare, në krye të punës për manualin.
Në Shqipëri, mungesa e materialeve orientuese dhe informacionit të specializuar ka qenë prej vitesh një problem i evidentuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe profesionistët e fushës. Manuali i ri synon të mbushë këtë boshllëk dhe të ndihmojë familjet, si dhe profesionistët me këshilla konkrete, shembuj praktikë dhe udhëzime lehtësisht të zbatueshme.



