Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, thirri sot mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.
Ruçi,me këtë rast vlerësoj punën voluminoze dhe me intensitet që kanë bërë shkollat, mësuesit dhe të gjitha operatorët e përfshirë në këtë proces. “Është një sfidë e vështirë, prej së cilës nxorëm shumë mësime të vlefshme. Vlerësoj kujdesin e veçantë që është treguar edhe nga Ministria e Arsimit, shkollat dhe mësuesit, por edhe nga sektori privat dhe fondacionet e ndryshme për kontributin e tyre në lehtësimin e mësimit virtual për nxënësit e familjeve të varfëra e me nevoja të veçanta.
Por duhet të jemi më realist në vlerësime, në mënyrë që ta ndërtojmë punë sa më mirë dhe të dimë se çfarë kemi për të kompensuar në të ardhmen”, tha Ruçi.
Ruçi sugjeroi që kur viti i ardhshëm shkollor të fillojë normalisht, Ministria e Arsimit, drejtoritë arsimore, shkollat dhe mësuesit duhet të mbajnë parasysh mangësitë dhe pamjaftueshmërinë reale e praktike të shkaktuara nga mësimit virtual. Për këtë arsye, u shpreh Ruçi, Ministria duhet të krijojë mundësi për të kompensuar njohuritë që nxënësit nuk i kanë marrë të plota”.
Por, vijoi ai, “më e rëndësishmja, të bëhet kujdes për të verifikuar nevojat e nxënësve për mjaft shprehi, të cilat krijohen nga prezenca dhe kontaktet në klasë dhe që nuk mund të transmetohen në mënyrë virtuale. Vetëm, kështu do të kompensojmë mangësitë e natyrshme të mësimit virtual dhe të garantojmë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, mori pjesë në takimin me Grupin e Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, ku pjesë e axhendës ishte edhe diskutimi mbi ecurinë e mësimdhënies në shkollat 9-vjeçare e të mesme, si dhe masat e ndërmarra mbi kujdesin specifik për nxënësit e familjeve në nevojë.
Ndër të tjera, ministrja Shahini vuri theksin edhe tek rëndësia që i është kushtuar ruajtjes së shëndetit mendor të nxënësve, për të cilën theksoi se afro 2,000 nxënës kanë marrë shërbim psiko-social.
Mbledhja shqyrtoi një informacion mbi ecurinë e mësimit në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme dhe kujdesin specifik për nxënësit e familjeve në nevojë, të cilin e paraqiti Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Mbledhja diskutoi e miratoi Raportin Vjetor të Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve për vitin 2019, kalendarin e punës për vitin 2020 si edhe një informacion mbi Zbatimin e Rezolutës “Për vlerësimin e punës së Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve”.



