Reshjet intensive të orëve të fundit kanë rikthyer problemin e rrëshqitjes së dherave në lagjen Pllakë të Gjirokastrës, duke vënë sërish në rrezik banorët perreth dhe duke ngritur shqetësime për sigurinë e zonës.
Kjo situatë nuk është e panjohur për banorët. Një vit më parë, në muajin nëntor, rrëshqitjet e dherave dhe të masive te gureve shkaktuan izolimin e lagjes për rreth tre muaj. Pavarësisht situatës së krijuar dhe rrezikut të vazhdueshëm, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni cka u pa serish sot. Me reshjet e para intensive, problematika është rikthyer, duke dëshmuar se ndërhyrjet parandaluese kanë munguar dhe se rreziku vijon të mbetet evident.
Teksa kërkohet ndërhyrja urgjente e Bashkisë Gjirokastër për marrjen e masave konkrete dhe realizimin e një zgjidhjeje përfundimtare, përpara se situata të përkeqësohet dhe pasojat të bëhen edhe më të rënda. Përsëritja e të njëjtit problem, pas një viti pa ndërhyrje, ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë e institucioneve vendore dhe menaxhimin e situatave të rrezikut në këtë zonë.
Ashtu sikurse e kemi cituar edhe më parë në kronikat tona, Bashkia Gjirokastër dhe Prefektura nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese për sezonin e dimrit. Rikujtojmë që në janar të këtij viti Gjirokastra përjetoi përmbytjen më të madhe në 30 vitet e fundit, ndërsa dëmet e jashtëzakonshme në banesa, biznese, rrugë e kullota nuk janë shlyer ende nga organet kompetente.
