Përfaqësues të shoqatës kombëtare të transportit ndërqytetas, kanë bërë të ditur se ditën e hënë në tërë vendin, do të protestohet, për shkak të mos zbatimit të tre kërkesave të tyrë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.
Operatorët kërkojnë që të krijohen stacione të ndërmjetme mbi bazën e marrëveshjeve midis operatorëve, të luftohet konkurrenca e pandershme dhe të pezullohen gjobat e vëna padrejtësisht.
Kërkesat e përfaqësuesve të transportit ndërqytetas:
"Miratimi i stacioneve të ndërmjetme, përgjat intinerarit të linjës, siç parashikon 83/08 dhe udhëzimi 56/28. Përcaktimi i këtyre stacioneve bëhet duke vendosur interesin kryesor të udhëtarëve dhe mbulimin në shërbim të zonave që nuk kanë linja ndërqytetase. Këto stacione do të shërbejnë dhe për qytetarët që nuk kanë shërbim për orare të caktuara; Pezullimi i gjobitjes së automjeteve deri në miratimin e stacioneve të ndërmjetme pasi po dëmtojnë ekonomikisht të gjithë operatorët dhe po i çojnë drejt falimentit. Së treti kërkohet ndëshkimi i mjeteve të paligjshme të cilat operojnë në mënyrë të paligjshme paralelisht me operatorët e rregullt."
Përfaqësuesit e shoqatës Kombëtare të transportit ndërqytetas, Leonard Shanaj dhe Eneo Sulejmanaj i kanë dorëzuar 10 ditë më parë Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku kërkesat e tyre në mënyrë zyrtare dhe i kanë lënë afat deri në 15 prill.
Duke qenë se sipas tyre, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ministrja Balluku, trasportuesit ndërqytetas, me gjasë të hënën do të protestojnë, duke rrezikuar në këtë mënyrë paralizimin e të gjithë transportit ndërqytetas në vend.



