Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nency Pelosi ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump, pasi ky i fundit njoftoi se do të bllokonte fondet amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Përmes një shënimi në Twitter, Pelosi shkruan se amerikanët duhet të injorojnë gënjeshtrat dhe të fillojnë të dëgjojnë shkencëtarët dhe profesionistët e tjerë të respektuar në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të dashurit e tyre.
Ajo, theksoi se Presidenti “injoroi paralajmërimet dhe ndërmori veprime të pamjaftueshme, duke shkaktuar shumë vdekje dhe dhimbje”, ndërsa theksoi se mungesa e testeve dhe pajisjeve mbrojtëse po kërcënon jetën e qytetarëve.
Sipas saj, përpara ka shumë vendime të rëndësishme, por nëse nuk punohet për nga e vërteta, më shumë jetë njerëzore do të humbasin, do të shtohen vështirësitë ekonomike dhe vuajtjet, ndërsa fëmijët nuk do të jenë më të sigurtë, të lumtur dhe të aftë të mësojnë.

Ndërkohë lidhur me këtë çështje ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierres, i cili kritikoi presidentin Trump dhe tha se nuk është koha për t'i ndalur fondet OBSH-së.
"Tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese," tha Sekretari i Përgjithshëm i KB António Guterres.
Trump kishte akuzuar më herët OBSH-në për "keqmenaxhim të situatës së shkaktuar nga koronavirusi dhe tha që SHBA do të bllokonte fondet në pritje të një rishikimi të situatës.
Guterres, theksoi se OBSH ishte në vijat e para, duke mbështetur shtetet anëtare dhe shoqëritë e tyre, veçanërisht më të prekurit midis tyre, me udhëzime, trajnime, pajisje dhe shërbime konkrete për shpëtimin e jetës.
"Unë mendoj se Organizata Botërore e Shëndetit duhet të mbështetet, pasi është absolutisht e rëndësishme për përpjekjet e botës për të fituar luftën kundër Covid-19'', shtoi Sekretari i OKB-së.



