Deklarata e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, se projekti në Zvërnec do të kryhet pas një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen, sipas aktivistit Joni Vorpsi, vjen si pasojë e informacionit të mangët që i është përcjellë institucioneve europiane nga autoritetet shqiptare.
Vorpsi argumenton se deri më tani mungon transparenca mbi ndërhyrjet e kryera në zonën e mbrojtur, ndërsa nuk janë bërë publike dokumente që të provojnë ligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra apo vetë projektin që parashikohet të zhvillohet në këtë territor.
Informacioni që i është dhënë është ai i dhënë nga autoritetet, dukshëm i cunguar dhe manipuluar dhe nuk thuhet se aty ndodhi një ndërhyrje ilegale, makineritë hynë, shkatërruan dhe tani nuk thuhet si do jetë projekti. Projekti nuk mund të ecë përpara vetëm me një vlerësim të ndikimit në mjedis, sikur të mos jetë zonë e mbrojtur.
Komisionerja ka reaguar mbi një mungesë informacioni. E rrethojmë, nuk kemi projekt, nuk kemi vlerësim ndikimi në mjedis, çojmë projekt dhe nuk ka asnjë dokument që e zyrtarizon këtë ndërhyrje.
Dikush thotë po bëhet një projekt shumë prestigjioz dhe dikush tjetër që ka ndërhyrë një bandë dhe e ka marrë. Aty janë hequr sipërfaqe të dunave, të pyllit. Edhe rrethimi në vetvete kur ka biodiversitet kaq të madh, duhet të vlerësohet.
Jemi në një paligjshmëri të plotë dhe duhet mbajtur përgjegjësi nga policia, IKMT dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Nuk ka dokument të aprovuar për leje zhvillimore. Aty është bërë një krim mjedisor, i cili është bërë nën hundën e autoriteteve të cilat nuk kanë ndërhyrë. Nuk mund të bëhen ndërhyrje kur nuk ka projekt.



