Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, mori pjesë sot në Panairin e Gjelit të Detit, i mbajtur në fshatin Fishtë të Lezhës. Festivali i organizuar në kuadër të Muajve të Bujqësisë ka për qëllim promovimin e agroturizmit të zonës. Ministri Panariti, në fjalën e tij tha se, “tradita e gjelit të detit të Zadrimës duhet mbrojtur me xhelozi, pasi është unike dhe tashmë është një markë shqiptare”.
Por, sipas ministrit të Bujqësisë, duhet investuar më shumë për promovimin e kësaj tradite në tregjet europiane, pasi është një produkt mjat i kërkuar.
"Mishi i gjelit është shumë i pasur me vlera ushqimore. Ne duhet të investojmë më shumë për promovimin e kësaj tradite në tregjet europiane. Fatmirësisht, bujqësia dhe blegtoria shqiptare konkurron denjësisht me cilësinë", u shpreh Panariti.
Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm përfaqësues tjerë të Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerë e blegtorë të zonës, u organizua dhe një minipanair me produkte të prodhuara në krahinën e Zadrimes.



