Një delegacion i partisë italiane “Fratelli d’Italia”, forca politike e kryeministres Giorgia Meloni, ka mbërritur në Shqipëri për të verifikuar funksionimin e kampit të emigrantëve në Gjadër.
Përfaqësuesit italianë qëndruan mbi tre orë brenda kësaj strukture, në kuadër të një vizite monitoruese mbi mënyrën e operimit të Qendrës së Paraburgimit të Riatdhesimit (CPR).
Delegacioni përbëhej nga emra të rëndësishëm të politikës italiane dhe përfaqësues të lartë të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, mes tyre Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan.
Pjesë e vizitës ishin gjithashtu nënkryetarët e grupeve parlamentare Augusta Montaruli, Raffaele Speranzon dhe Salvatore Sallemi, si dhe drejtues të tjerë si Giovanni Donzelli, deputetët Sara Kelany dhe Francesco Filini, si dhe senatori Marco Lisei.
Qëllimi i vizitës ishte verifikimi nga afër i funksionimit të këtyre strukturave, në një kohë kur çështja e menaxhimit të emigracionit vijon të jetë në qendër të debatit politik në Itali dhe më gjerë në Europë.
Sipas qeverisë së Giorgia Meloni, modeli i qendrave të tilla synohet të shtrihet edhe në vende të tjera, përfshirë Afrikën, si pjesë e një strategjie të re për menaxhimin e emigracionit.



