Në panairin e zejeve dhe kreativitetit ministri Klosi ka premtuar se do të ngrihet Dhoma e Zejeve. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Klosi deklaroi se kjo do të ndodhë në harkun kohor të 6 muajve dhe do të hiqen të gjitha taksat për biznesin familjar.
“Brenda 6 muajve do të ngremë Dhomën e Zejeve. Kemi ndërmarrë nismën të mbrojmë prodhimin vendas. Jemi të vendosur të mbrojmë trashëgiminë tonë. Zero taksa për bisnesin familjar të zejeve. Është e papranueshme që në qendrat tona historike, tregtohen mallra importi. Ligji i Zejeve ofron mundësinë e trajnimeve për zanatet nga qendrat tona te formimit profesional”, u shpreh ministri.
Blendi Klosi ka bërë thirrje gjithashtu që të gjithë zejtarët të jenë të bashkuar, pasi kështu mbrohet puna e tyre. Sipas Klosit është e pafalshme dhe e papranueshme që në qytetet tona historike, pazaret e reja të tyre, në Shkodër, Korçë, Krujë, Lezhë, Berat, të mos ketë prodhime shqiptare
Panairi i zejeve dhe kreativitetit po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe do të qëndrojë i hapur për dy ditë. Pjesëmarrës janë 72 artizanë nga 11 bashki të vendit, prodhues të prodhimeve bio ushqimore dhe studentë të arteve me krijimet e tyre.



