Një konflikt për të drejtën e pronësisë është bërë "mollë sherri" në fshatin Shushicë të Elbasanit. Mahije Mezini, banore e Elbasanit, denoncoi në Emisionin Investigativ "Xhadat" në MCN TV, se prej muajsh nuk arrin të rrethojë pronën e saj në fshatin Shushicë, megjithëse disponon certifikatë pronësie dhe një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Durrësit. Sipas saj, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe ekzekutimit të vendimit me përmbarues, synimi ishte vendosja e një porte me rrjetë teli për të siguruar pronën.
Megjithatë, ajo pretendon se është penguar vazhdimisht nga Hyqmet Mezini, djali i kunatit të saj, i cili kundërshton vendosjen e rrethimit me argumentin se në pronë kalon një kanal vaditës që, sipas tij, duhet të mbetet i lirë për kontroll dhe mirëmbajtje. Gazetari Ersid Karaj ndoqi nga afër situatën në terren. Gjatë nisjes së punimeve për vendosjen e dy shtyllave anësore të portës, në vendngjarje mbërriti Hyqmet Mezini, i cili kundërshtoi punimet dhe u përfshi në debat me punëtorin, pronaren dhe ekipin e emisionit.
Nga verifikimet në terren, Mahije Mezini argumentoi se rrethimi me rrjetë nuk pengon rrjedhën e ujit në kanalin vaditës dhe se qëllimi i saj është vetëm mbrojtja e pronës, në përputhje me dokumentacionin që disponon dhe me sqarimet e marra nga Njësia Administrative Shushicë. Për shkak të tensionimit të situatës, gazetari njoftoi Policinë e Shtetit.
Efektivët mbërritën në vendngjarje, u njohën me dokumentacionin dhe i kërkuan Hyqmet Mezinit të mos pengonte punimet. Pas kundërshtimeve dhe komunikimit konfliktual me uniformat blu, ai u shoqërua në komisariat. Megjithatë, edhe pas largimit të tij, situata nuk u qetësua. Bashkëshortja e Hyqmet Mezinit kundërshtoi vijimin e punimeve, duke pretenduar se rrethimi do t'u pamundësonte aksesin te kanali vaditës.
Edhe në këtë rast, Policia e Shtetit kërkoi që të mos bëhej pengesë për ushtrimin e të drejtës së pronësisë së qytetares. Pas ndërhyrjes së policisë, punëtori vijoi vendosjen e shtyllave dhe të rrjetës rrethuese, duke realizuar një pjesë të punimeve. Çështja mbetet ende e hapur, pasi mbetet për t'u parë nëse Mahije Mezini do të arrijë ta përfundojë pa pengesa rrethimin e pronës së saj apo konflikti mes palëve do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.



