
Në Britaninë e Madhe bëhet me dije se homoseksualët, biseksualët dhe të gjithë ata persona që kanë kryer marrëdhënie seksuale gjatë tre muajve të fundit nuk mund të dhurojnë plazmën e gjakut për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19.
Daily Mail shkruan se autoritetet shëndetësore në Britani po kërkojnë donatorë të plazmave të gjakut, të cilët janë shëruar nga koronavirusi.
Mësohet se 6 mijë e 500 persona kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dhuruar plazmën e gjakut, por siç duket, rregullat e vendosura nga autoritetet shëndetësore kanë inatosur shumë donator, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin homoseksualë dhe biseksualë.
Menaxheri i kujdesit shëndetësor Andy Roberts tha për ITV News se kishte dalë pozitiv me koronavirus dhe ishte shëruar, ndërsa kishte vendosur të regjistrohej për të dhuruar plazmën e tij të gjakut.
Roberts tregon se pas regjistrimit kishte marrë një telefonatë nga NHS dhe ishte pyetur edhe për seksualitetin e tij, përpara se t’i komunikohej se e kishte të ndaluar për të bërë një gjë të tillë.
Institucionet e transfuzionit të gjakut në Britani thanë se vendimi për përdorimin e udhëzimeve rreth përzgjedhjes së dhuruesve të plazmës është marrë me qëllimin për të mbrojtur dhuruesit dhe marrësit e saj.



