Të qëndrosh në një këmbë për 10 sekonda nuk është një sfidë për Tik tok, por më tepër një tregues i shëndetit tonë. Nëse nuk arrijmë të qëndrojmë me njërën këmbë, në moshën e mesme dhe të vjetër, rrezikojmë dyfish të vdesim, krahasuar me ata që munden ta bëjnë diçka të tillë. Një fakt i tillë u zbulua nga një studim nga një ekip ndërkombëtar i sapo publikuar në British Journal of Sports Medicine, i cili shpjegon se si ky ushtrim i thjeshtë është një sinjal i rëndësishëm për shëndetin tonë, raporton italiania quotidiano.
Sipas studiuesve, testi i ekuilibrit me një këmbë duhet të përfshihet në kontrollet rutinë shëndetësore për të moshuarit. Aftësia për të qëndruar në ekuilibër, më shumë se kapaciteti aerobik, forca e muskujve dhe fleksibiliteti, është një faktor që tregon shumë për jetëgjatësinë tonë.
Ekipi studiues u përpoq ta trajtonte testin e ekuilibrit si një tregues të besueshëm të rrezikut të një personi për të vdekur për arsye të ndryshme, brenda dekadës së ardhshme.
Studimi u bazua në pjesëmarrësit në studimin e grupit Clinimex Exercise, i cili filloi në vitin 1994 për të vlerësuar lidhjet midis masave të ndryshme të aktivitetit fizik.
Analiza e të dhënave të 1702 pjesëmarrësve brazilianë të moshës nga 51 deri në 75 vjeç, u krye gjatë një periudhe 10-vjeçare. Si pjesë e kontrollit, pjesëmarrësve iu kërkua të qëndronin në njërën këmbë për 10 sekonda pa ndonjë mbështetje shtesë.
Ajo që doli ishte se rreth një në 5 pjesëmarrës (20.5%) nuk e kaloi testin. Paaftësia rritej me moshën, duke u dyfishuar pak a shumë në intervale të njëpasnjëshme 5-vjeçare nga mosha 51-55 vjeç. Dhe më shumë se gjysma e njerëzve midis moshës 71 dhe 75 vjeç, rreth 54%, nuk arritën ta përfundojnë testin.
Duke krahasuar të dhënat klinike të njerëzve mbi 10 vjet, u vu re se shkalla e vdekjes në mesin e atyre që dështuan në test ishte dukshëm më e lartë: 17.5% kundrejt 4.5%.
Në përgjithësi, ata që nuk e kaluan testin ishin në gjendje më të keqe shëndetësore, një përqindje e madhe ishin obezë ose vuanin nga sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut dhe nivelet e larta të yndyrës në gjak. Për më tepër, diabeti i tipit 2 ishte rreth 3 herë më i zakonshëm në këtë grup: 38% kundrejt rreth 13%.
Duke marrë parasysh disa variabla si mosha, gjinia dhe gjendja shëndetësore, pamundësia për të qëndruar pa mbështetje në njërën këmbë për 10 sekonda u shoqërua me një rritje prej 84% të rrezikut të vdekjes nga arsye të ndryshme, brenda dekadës së ardhshme.
Duhet theksuar se ky është një studim i kufizuar, i cili për rrjedhojë nuk mund të çojë në vendosjen e një marrëdhënieje të saktë shkak-pasojë. Por studiuesit arrijnë në përfundimin se testi i ekuilibrit prej 10 sekondash jep informacion të dobishëm në lidhje me rrezikun e vdekshmërisë tek burrat dhe gratë e moshës së mesme dhe të moshës së tretë.



