Presidenti Vladimir Putin është shprehur se Rusia do të fillojë dalëngadalë nga e marta të lehtësojë masat e bllokimit për shkak të koronavirusit.
“Duke filluar nga nesër, 12 maj, do të hapen të gjithë sektorët ekonomikë në vend”, tha Putin.
Njoftimi i presidentit vjen, pasi Rusia regjistroi të hënën një numër rekord të prekurish me koronavirus, mbi 11 mijë persona vetëm në 24 orët e fundit.
Vendi ka regjistruar gjithsej 221 mijë e 344 persona të infektuar dhe 2009 viktima si pasojë e virusit Covid-19.
Putin tha se Rusia e kishte shfrytëzuar periudhën e bllokimit të vendit për të përgatitur sistemin spitalor, duke shtuar numrin e shtretërve spitalorë dhe duke shpëtuar “mijëra jetë njerëzore”.
Sipas tij, kjo ka krijuar kushtet për të marrë një hap përpara drejt lehtësimit të masave të vendosura për bllokimin e vendit.
“Është në interesin e të gjithëve që ekonomia e vendit të kthehet shpejt në normalitet”, tha ai.
Putin tha se sektorët e ndërtimit, bujqësia dhe energjia duhet të rifillojnë punën.
“Epidemia dhe masat e marra për shkak të saj kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, duke dëmtuar miliona qytetarë rus”, tha ai.
Putin deklaroi se në kohën kur qytetarët të fillojnë për t’u kthyer në punë, aktivitetet publike do të ndalohen dhe mbi të gjitha duhet të respektohen të gjitha protokollet shëndetësore të miratuara nga autoritetet përkatëse.
Ai, theksoi se të gjitha rajonet e Rusisë, do të jenë në gjendje të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për të luftuar koronavirusin.



