Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pagave për mjekët dhe strukturat mbështetëse.
Vendimi parashikon ndryshime për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”.
VENDIM
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE TË TJERË ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “g”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“g) punonjësit me arsim të lartë në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor e Shoqëror janë sipas lidhjes nr.1, kreu 1.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”;
b) Në kreun 1.6, të lidhjes nr.1, që përmendet në shkronjën “e”, të pikës 2, shtesa e pozicionit për pozicionin “Drejtor” bëhet 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë në muaj;
c) Kreu 1.9, i lidhjes nr.1, që përmendet në shkronjën “g”, të pikës 2, zëvendësohet me kreun me të njëjtin numër dhe me titull “Struktura e pagave për punonjësit me arsim të lartë në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor e Shoqëror”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) Në rreshtin me numër rendor 1, të kolonës “Emërtimi”, të lidhjes nr.7, që përmendet në pikën 2.3, shtohet emërtesa “teknik imazherie”;
d) Kreu 2.2, i lidhjes nr.2, zëvendësohet me kreun me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
dh) Lidhja nr.10, që përmendet në pikën 20, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për këtë vit dhe fillojnë nga data 1 janar 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.



