Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar sot sesionin e tretë të nismës “Gati për Shqipërinë” përmes platformave online.
Në bisedë me të rinjtë pjesëmarrës të cilët prezantuan veten e tyre, Rama tha se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”.
Sipas Ramës, deri më tani kanë aplikuar qindra të rinj që duan të japin kontributin e tyre me propozime në portalin Gati për Shqipërinë.
“Nga pikëpamja praktike kjo gjë do të bëhet kështu. Mbasi ne marrim të gjitha të dhënat sot, pastaj Bora që është zëvendësministrja dhe është edhe koordinatorja e këtij programi ju vë juve në kontakt me ministrat përkatës duke ju lënë një takim virtual në një grup shumë më të vogël dhe pastaj juve diskutoni me ministrat përkatës”, tha Rama.
Ftesa për personat e tjerë që duan të angazhohen, sipas Ramës, mbetet e hapur.
Portali Gati për Shqipërinë mori jetë zyrtarisht më 19 maj, si nismë e kryeministrisë. Në më pak se dy javë, janë dhënë thuajse 350 ide të reja për projekte qeveritare nga aplikantët.
Kategoritë kryesore, janë tre: Ajo e kontributorëve të gatshëm nga jashtë vendit. Ajo e kontributorëve të gatshëm të kthehen nga jashtë vendit dhe ajo e kontributorëve të gatshëm brenda vendit.
Të treja kategoritë, janë të gatshme të angazhohen për programin e reformave në mandatin e tretë qeverisës të kryeministrit Rama, për çka kryeministri mban sesionet online me të rinjtë aplikantë.



