Personat që jetojnë në zonat me ajër të ndotur dhe janë infektuar me Covid-19, janë shumë më të rrezikuar se ata që jetojnë në zona më pak të ndotura.
Të paktën kështu pretendon një studim i ri, sipas të cilit, shkalla e ndotjes së ajrit, lidhet me numrin e vdekshmërisë si pasojë e Covid-19.
Ky studim është realizuar nga disa studiues të Universitetit të Harvardit dhe për realizimin e tij bëhet me dije se janë analizuar 3 mijë e 80 zona në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë 98 përqind të popullsisë.
Ajo se çfarë u mësua falë këtij studimi, ishte se zonat që kishin nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit, kishin raportuar numrin më të lartë të viktimave si pasojë e koronavirusit.
Një nga profesorët e këtij studimi tha se zonat më të ndotura do të jenë ato vende që do të kenë numrin më të lartë të pacientëve, numrin më të lartë të vdekjeve dhe ku shumë burime të shtetit duhet të përqendrohen.
Francesca Dominici, profesore e biostatikës, tregoi se ky studim analizoi numrin e personave të infektuar, shtretërit spitalorë, numrin e personave të testuar, nivelin e ndotjes së ajrit, si dhe disa ndryshorë të tjerë socio-ekonomikë si pirja e duhanit e mbipesha, ku dhe u zbulua se rritja e ndotjes së ajrit me 2.5%, e çonte në 15% shkallën e vdekshmërisë nga Covid-19.
Nëse merret Manhattan si shembull, tregohet se niveli i ndotjes së ajrit ishte ulur në 20 vitet e fundit, ku sipas këtij studimi, një fakt i tillë do të shpëtonte jetën e rreth 248 pacientëve me koronavirus.
Zonat shumë të ndotura si Central Valley në Kalifornia ose Cuyahoga County në Ohaio, mund të regjistrojnë së shpejti një numër të lartë personash të infektuar me Covid-19.
“Rezultatet e studimit nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të rregullores aktuale për ndotjen e ajrit, si një nga mënyrat e mbrojtjes së shëndetit të njeriut përgjatë dhe pas krizës Covid-19”, theksojnë studiuesit e universitetit amerikan, megjithatë ky nuk është i vetmi studim që përqëndrohet tek efektet e ndotjes së ajrit.
Kujtojmë se shumë studime në të kaluarën treguan se në zonat më të ndotura në Kinë, numri i viktimave si pasojë e infektimit me SARS, ishte më i lartë se në zonat e tjera më pak të ndotura.



