Twitter i ka fshehur një tjetër postim presidentit të SHBA-së, Donald Trump me arsyetimin se shkel rregullat, duke nxitur dhunën. Rrjeti social bën me dije se postimi nuk është fshirë, por është mbuluar me një parlajmërim, i cili mund të shihet duke klikuar mbi të.
Paralajmërimi thekson se Twitter ka përcaktuar se mund të jetë në interes të publikut që postimi të mbetet i dukshëm. Në postimin e tij Trump, paralajmëroi se ai do të dërgonte Gardën Kombëtare për të bërë punën e duhur, nëse kryebashkiaku Jacob Frey dështonte për t’a vënë qytetin nën kontroll.
Trazirat në Minneapolis nisën pas vdekjes së një personi me ngjyrë të paarmatosur në momentin që po arrestohej. George Floyd, 46 vjeç, humbi jetën të hënën. Pamjet filmike treguan një polic që i kishte vendosur gjurin në qafë, teksa ai kërkonte të mbushej me frymë.
Masa e Twitter vjen disa orë pasi presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook për përmbajtjen që ato shpërndajnë, duke përshkallëzuar luftën e tij me këto kompani.
Presidenti Trump tha se kontrollet e fakteve ishin "vendime editoriale" nga Twitter dhe kishin të bënin me një aktivizëm politik. Ai tha se kjo lëvizje do t'u kushtojë kompanive të mediave sociale mbrojtjen nga paditë për ato që janë postuar në platformat e tyre.
Trump, i cili personalisht mbështetet shumë tek Twitter-i për të sulmuar armiqtë e tij, ka akuzuar prej kohësh gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley që anojnë nga liberalët, se po vënë në shënjestër konservatorët duke i kontrolluar ose duke hequr postimet e tyre.
Masa udhëzon agjencitë e degës ekzekutive të kërkojnë nga agjenci të pavarura që hartojnë rregullore, përfshirë Komisionin Federal të Komunikimit dhe Komisionin Federal të Tregtisë, të studiojnë mundësinë nëse ata mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë - megjithëse ekspertët shprehin dyshime se kjo mund të bëhet pa një akt të Kongresit.
Kompanive si Twitter dhe Facebook u jepet mbrojtje nga përgjegjësitë ligjore në bazë të nenit 230 të Aktit për Komunikimin e Qytetëruar sepse ato trajtohen si "platforma" dhe jo "botues", të cilët mund të përballen me padi mbi përmbajtjen që publikojnë.
Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv ishte konsideruar më parë nga administrata, por ishte lënë mënjanë mes shqetësimeve se nuk plotësonte detyrimet ligjore dhe shkelte parimet e lirisë së fjalës.



