
Gripi i shpendëve është edhe në Shqipëri. Tre vatra të reja të këtij virusi janë zbuluar në Fushë- Krujë, Dajt dhe Bujan. Ministria e Bujqësisë me anë të një njoftimi sqaron se shërbimi veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
“ë pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve në territorin e vendit tonë nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit.
Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve (Influenca Aviare) të tipit H5N8.
Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan. Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes” thuhet në njoftim.
Pas konfirmimit të rasteve të para, Ministria e Bujqësisë njofton se ndalohet në rang kombëtar tregtimi i shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla.



