
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra shëndetësore e Velipojës, tha se këtë vit janë 29 qendra shëndetësore verore, nga veriu në jug, që do të jenë në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj.
Manastirliu tha, se përveç 29 qendrave shëndetësore, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore do të ketë poste fikse të autoambulancave përgjatë zonave turistike, për t’iu ardhur sa më shpejt në ndihmë pushuesve, ndërsa theksoi se për herë të parë do të përfshihet edhe testimi i shpejtë për çdo rast të dyshuar me Covid 19.

“Ne kemi filluar edhe programin e trajnimit, ashtu sikurse bëjmë çdo vit, me mjekët dhe infermierët e qendrave verore, që janë 29 në këtë vit, të cilat do të hapen në datë 15 qershor. Risia në këtë vit do të jetë përfshirja edhe e testit të shpejtë në strukturat e qendrave shëndetësore verore.
Trajnimi i stafeve ka filluar gjithashtu. Dhe organizimi i punës në nivel territorial, në mënyrë që në momentin që do të ketë një njeri të dyshuar apo të konstatuar, të diagnostikuar me Covid 19, të referojë direkt strukturat e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor”, tha Manastirliu.




