Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, theksoi në MCN Live rëndësinë e turizmit malor dhe turizmit të luksit. Ai u shpreh se turizmi duhet shtrirë në 12 muaj, për të mbajtur punonjësit e turizmit që janë aset për vendin. Sipas Topuzit kërkohen investime afatgjatë, 7-vjeçare, pasi për momentin s’mund ta konkurrojmë rajonin.
“Turizmi dimëror është mjaft i rëndësishëm, është turizëm luksi. Është një kombinim midis pushtetit qendror, vendor, dhe bizneseve. Turizmi dimëror s’është thjesht borë dhe një ushqim lokal, por kërkojnë investime, që nga infrastruktura rrugore dhe të tjera. Hyn te turizmet e luksit. Pararojë është Serbia, Kosova, së fundmi edhe Mali i Zi, që ka bërë disa nga resortet më luksoze që mund të ketë Europa, Kolashin. Kanë krijuar pista profesionale të skive, sauna, pishina të mbyllura, pishina verore, deri te restorantet e luksit. Nuk mund të jesh një vend me potencial turizmi nëse e ke turizmin sezonal, sepse punonjësit e turizmit janë aset për një vend. Problemi kryesor që na shqetëson ne si aktorë që merremi me turizmin, këto janë investime që kërkojnë kohë të gjatë, një 7-vjeçar, kështu që s’jemi të gatshëm për të konkurruar rajonin. Turizmi malor dhe i luksit kanë qenë dy kërkesat tona kryesore. Në rast se nuk e shtrijmë turizmin 12 muaj, kërkesa e kryeministrit do mbetet elektorale. Si do sigurohet një punë 12 muaj, kur në 1 shtator 70 për qind e hoteleve mbyllin aktivitetin dhe turizmi malor është një turizëm fundjave. Duhen pista skish profesionale, fusha lojërash, fusha golfi, ambiente sportive, pishina, restorante luksi, dyqane luksi, që janë element që duhet të kompozojnë një fshat apo zonë turistike. Investimet të fillojnë nga shteti, pastaj nga privati".
Ai tha gjithë Veriu i Shqipërisë është zonë e mirë për investime, më së shumti në lartësinë mbi 1600 metra mbi nivelin e detit.



