Partia Demokratike denoncoi të shtunën rastin e familjes Fane në Lezhë, e cila pas tërmetit të 26 nëntorit është shpërngulur nga shtëpia e saj pasi pallati rezultoi i dëmtuar rëndë, mirëpo në mungesë të një zgjidhje ajo është vendosur në një pallat tjetër që gjithashtu është shpallur i pabanueshëm.
Drane Fane, banore e lagjes Beslidhja në Lezhë i tha zyrtarëve të PD-së se ajo nuk ka dijeni se çfarë do të ndodhë me shtëpinë e vjetër.
“Në lagjen Besëlidhja me datë 26 ra tërmeti, na i plasariti shtëpitë, na i nxori me kryq, të pabanueshme. Si përfundim, nuk na tha njeri që dilni, as se mos dilni, as nuk erdhën ta verifikonin përfundimisht. Me fjalë me verifikim të përgjithshëm. Vajta në janar tek bashkia. Më doli njëra më tha përderisa bashkia ta ka dhënë bonusin e qerasë, gjej shtëpi,” tregon Fanja.
“Pallati është deklaruar i pabanueshëm, por ekspertët nuk kanë ardhur për përfundimtaren. Nuk na thanë që dilni sot ose... të thashë pra me 10 qershor më tha vajza ime mami e ka nxjerrë filanja në Facebook që do të shembet pallati edhe erdha gjeta një shtëpi këtu mbas kësaj shtëpisë së parë, këtu në katin e dytë. Edhe ky është i pabanueshëm me thënë të drejtën, por duke qenë një fije më i mirë se pallati jonë ku isha, po jetoj prej 5 javësh. Kërkoj që të tregohet e vërteta si i thonë asaj. Kur do rregullohet, kur do shembet, si do bëhet, qysh e tek. Një shtëpi e ndërrova, shtëpinë e dytë e kam këtu, të shkoj në shtëpi të tretë vetem të shkoj të mbytem ne lumë me djalin,” shton më tej qytetarja nga Lezha.
Prej muajit gusht opozita denoncon raste të ndryshme familjesh të mbetura pa zgjidhje nga situata që la pas tërmeti i 26 nëntorit, i cili u mori jetën 51 personave.
Rastet e sjella nga PD-ja kanë qenë nga Thumana, Durrësi, Shijaku, Kurbini, Mamurrasi, Bubqi, Lezha dhe Tirana.



