Blogerja Stela Nikolla e cila prej një viti ndodhet në luftë me kancerin e gjirit shprehet optimiste se është një sëmundje që është e shërueshme.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo deklaroi se vetëm kalvari është i vështirë, por shprehet se sa më shpejt të kapet si sëmundje dhe bëhen kontrolle, aq më shpejt kalon.
Rënia e flokëve është shumë e rëndë për një femër. Aty kuptova që ky është kalvari dhe ditët e vështira. 3-4 ditët e kimios ishin shumë të vështira. Dhe vajza bëhej keq, por i thosha që sa më keq të bëhet mami, aq më shumë vepron ilaçi. Kimioterapia ka qenë faza më e vështirë. Unë kam qenë shumë e fortë, jam marrë gjithmonë me sport, jam ushqyer shëndetshëm.
Unë kam vendosur të shkruaj një libër, një rrëfim për jetën time, se janë ato emocione sa të vështira edhe të bukura, se kur kalonin ato 4-5 ditë pas kimios, i jepja më shumë kuptim. Nuk doja ta quaja si handikap sëmundjen, ndaj kam vazhduar të shkojë dhe në punë.
Ka pasur raste ku zonja më kanë shkruar se janë braktisur dhe nga bashkëshorti, ndaj jam munduar të them se është një sëmundje e vështirë, por nëse ti ke forca dhe mbështet veten tënde, mund t’ia dalësh.
Unë them gjithmonë faleminderit Zot që më jep këtë energji. Unë i thoja vetes që mund t’ia dal. Gjatë radioterapisë nuk lejohet dalja në diell. Por kur ke mbaruar kimiterapinë dhe operacionin, se unë kam hequr dy gjinjtë dhe kam vënë proteza, por duhet pak kujdes. Unë jam kundër gjërave ekstra, e dua joperfeksionizmin, por isha e detyruar të vendosja protezat.
Operacioni nuk shkoi shumë mirë, duhet të bëj dhe një ndërhyrje tjetër. Por ndihem e lumtur se jam mirë, faza më e vështirë kaloi. Me zi po pres të heq paruken, por të gjithë kolegët, miqtë dhe familjarët më thonë hiqe paruken se dukesh bukur dhe me flokët e shkurtër. Por unë do e heq kur të ndihem më mirë.
Mesazhi im është që ne dukemi bukur edhe kur jemi pa flokë. I kam lyer flokët e shkurtër me këna, me bojë bimore. Prandaj janë të kuqe, se është ngjyra natyrore e kënasë. Provova atë ngjyrë, por ndihem më bukur me flokët e zeza.
Kur filloi dalja e flokëve të para, nuk ka lumturi më të madhe. Pas kimioterapisë nis rilindja, çdo qelizë kancerogjene largohet dhe del çdo gjë nga e para.



