
Mbrojtja e liqenit të Prespës tashmë do të realizohet përmes një bashkëpunimi rajonal, falë memorandumit të nënshkruar të mërkurën mes Instituteve Kombëtare Mjedisore dhe Hidrometeorologjike të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila promovon bashkëpunimin rajonal për mbrojtjen e liqenit të Prespës, Ohrit dhe atij të Shkodrës, ka njoftuar se “sot Institutet Kombëtare Mjedisore dhe Hidrometeorologjike të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një memorandum për monitorimin e ujrave”.
Ambasadori Peter Zingraf u shpreh me këtë rast se “ekosistemet e tre liqeneve kanë nevojë për një menaxhim të përbashkët dhe të qëndrueshëm. Ne mbështesim partnerët në zbatimin e angazhimeve dhe standardeve të BE-së në këtë fushë”.
Ai vlerësoi përfundimin e marrëveshjes në kohërat e vështira të pandemisë Covid-19 si një sukses i bashkëpunimit ndërkufitar.
Të tre vendet fqinje do të monitorojnë bashkërisht cilësinë e ujit të liqeneve dhe do të shkëmbejnë të dhëna dhe eksperiencën e tyre. Bashkëpunimi rajonal mbështetet nga Gjermania përmes projektit të GIZ “Konservimi dhe përdorimi i qëndrueshëm i Biodiversitetit në Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës.



