“Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë” ishte takimi i mbajtur sot online, gjatë së cilës u diskutua për rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi i mësuesve vullnetarë që japin mësim të gjuhës shqipe në diasporë, në bashkëpunim me institucionet shqiptare.
Ky është viti i tretë rresht që “Qendra e Botimeve për Diasporën” dërgon tekste për mësimin e gjuhës shqipe në mbarë diasporën. Janë rreth 700 klasa që aktualisht bëjnë të mundur mësimdhënien e arsimit bazë të gjuhës shqipe. Ky nuk është i njëjti program mësimor që funksionon në Shqipëri, pasi ky program konsiderohet si program dytësor.
Këto programe funksionojnë për fëmijët nga mosha 6-vjeçare deri në 14 vjeç, pra baza e formimit gjuhësor.
Ky është takimi i parë i këtij lloj nga Ministria e Shtetit për Diasporën.
Në panel ishin përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Ministria e Arsimit të Shqipërisë në komunikim me mësuesit nga të gjitha shtetet e botës nga ku edhe ushtrojnë këtë aktivitet.
Suksesi i këtij procesi ka qenë i madh sepse tekstet shkojnë në kohë reale meqënëse janë në mënyre elektronike. Por kryesore është edhe unifikimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe.
Në këtë proces mësimdhënieje janë të përfshirë rreth 500 mësues në mbarë botën, ndërsa nxënësit që mësojnë gjuhën shqipe janë me mijëra.
Në këtë takim merrnin pjesë ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Kushi, ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, zv.ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Liza Gashi, drejtuesja e Komisionit të Përbashkët Shqipëri Kosovë, Anila Ferizaj, drejtues të Këshillit të Arsimtarëve, si dhe qindra mësues, pjesmarrës të këtij projekti.



