Ministrja Manastirliu gjatë takimit të sotëm me ekipin e epidemiologëve të Tiranës, e cila ka peshën kryesore të vatrave aktive në vend, bëri të ditur se është rritur me 30% kapaciteti i ekipeve të epidemiologëve, përkatsisht me 10 grupe të reja të ekipeve të terrenit në Tiranë. Manastirliu pohoi se ka një rritje të numrit të të infektuarve me Covid.
“Kemi një rritje të numrit të infektimeve, në Tiranë kryesisht por edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Durrësi, Lezha, Kukësi, kryesisht qarqet e veriut janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve, ndaj kemi forcuar kapacitetet. Përpos rritjes aktuale me 30% të ekipeve të terrenit do të shtojmë edhe 10 ekipe të reja dhe të mund t’ja dalim në këtë sfidë të parë të vjeshtë dimrit”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se kapacitete e testimit janë rritur me tre herë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se ndër prioritetet kryesore janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
“Testimet janë rritur me tre herë krahasuar me muajin Qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Institutit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.
Ekspertët e shëndetit publik u shprehën se rritja e testimeve po ndodh si rezultat i gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik.
“Testimi vjen pasi ne bëjmë hetimin. Pra nuk është se ne kemi shtuar testimet se duhet të shtojmë testimet. Kemi shtuar testimet sepse në terren ka më shumë vatra dhe është kërkuar nga popullata, nga kushtet ku jemi, për shtuar këtë testim”, tha dr. Adela Vasili, eksperte e shëndetit publik.
Epidemiologët e Tiranës u shprehën se puna në terren është rritur, sidomos në institucionet arsimore dhe vatrat kryesore janë të përqendruara në zonat me densitetin më të lartë. Ata u shprehën se bonusin prej 1 mijë euro po vijojnë ta marrin çdo muaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi mbështetjen për stafet mjekësore në vijën e parë të përballjes me COVID-19 për mjetet e mbrojtjes personale dhe për bonusin special, deri ditën e fundit të epidemisë.



