Elez Biberaj emërohet drejtor i "Zërit të Amerikës"

Elez Biberaj emërohet drejtor i "Zërit të Amerikës"

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) ka emëruar gazetarin me përvojë të Zërit të Amerikës Elez Biberaj në postin e drejtorit në detyrë të Zërit të Amerikës.

Emërimi i zotit Biberaj u njoftua përmes një emaili drejtuar stafit të martën nga shefi i ri ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale Michael Pack.

Në këtë detyrë ai ka mbikqyrur transmetimet e Zërit të Amerikës për Rusinë, Ukrainën, Armeninë dhe Ballkanin. Më parë ai ishte shef i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, shkruan VOA.

Zoti Biberaj mban një doktoraturë për shkenca politike nga Universiteti Columbia dhe është autor i katër librave, përfshi “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë”.

Emërimi vjen ndërsa vëmendja e publikut është përqendruar tek pavarësia editoriale e Zërit të Amerikës. Pararendëset e zotit Biberaj në krye të Zërit të Amerikës, Amanda Bennet dhe zëvendësja e saj Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen disa ditë para se zoti Pack të pushonte nga puna drejtuesit e tjerë të lartë të rrjeteve të financuara nga qeveria amerikane në fillim të muajit.

Së bashku, të pesë rrjetet e lajmeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkura për Median Globale, përfshirë Zërin e Amerikës, kanë një audiencë javore globale prej më shumë se 350 milionë dëgjuesish, shikuesish, dhe ndjekësish në internet në 61 gjuhë.

Lidhur me këtë post të ri të Biberaj ka reaguar kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili uron gazetarin për funksionin e ri si drejtor në detyrë të Zërit të Amerikës, duke e vlerësuar për kontributin e tij jetëgjatë për lirinë e medias.

“Krenar për Elez Biberaj dhe kontributin e tij jetëgjatë për lirinë e medias, demokracinë dhe të drejtat e njeriut!”, shkruan Basha.

Elez Biberaj u lind më 15 nëntor 1952, në një fshat të banuar me shqiptarë në Plavë të Malit të Zi, një vit pasi prindërit e tij ishin detyruar të linin vendlindjen e tyre, Tropojën në Shqipëri, si pasojë e regjimit totalitar. Katër vitet e para të shkollës fillore i ndoqi në fshatin Hot në gjuhën serbokroate, ndërsa klasët nga e pesta në të tetën i ndoqi në Gjakovë.

Pasi u regjistrua në shkollën e mesme në Prizren, në janar të vitit 1968, bashkë me familjen e tij emigroi në Itali. Gjashtë muaj më vonë arriti me familjen në Amerikë, ku filloi karrierën e tij si gazetar në VOA.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy