Pas një viti pune përgatitore, Shqipëria është gati të shpallë Sinjalin Amber. Sinjali Amber është një njoftim i lëshuar nga policia, për të angazhuar institucionet e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së fëmijëve, OSHC-të dhe të gjithë komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e një fëmije të humbur ose të zhdukur.
Njoftimi u bë publik nga CRCA/ECPAT Shqipëri në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.
Kompania Meta ka mbështetur zbatimin e sistemit të alarmit dhe ka rënë dakord që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për të shpërndarë njoftimet e alarmit për fëmijët e humbur.
Bëhet me dije se po punohet për trajnimin e oficerëve të policisë dhe zyrtarëve të mbrojtjes së fëmijëve mbi funksionimin e përgjithshëm të Sinjalit, duke përfshirë provat praktike të lëshimit të sinjalit, koordinimin me partnerët, etj.
Sipas njoftimit të CRCA/ECPAT trajnuesit janë ekspertë të fushës që vijnë nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria dhe qëllimi është që të forcohet puna e organeve ligj-zbatuese në mbrojtjen e fëmijëve në situata me rrezik të lartë, veçanërisht fëmijët që zhduken ose rrëmbehen, të cilët janë në rrezik më të lartë shfrytëzimi ose trafikimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka ngritur një grup pune me pjesëmarrjen e departamenteve të ndryshme të policisë, për të mbështetur zbatimin e Sinjalit nga ana e policisë në Shqipëri.
Alarmi do t'i mundësojë publikut që të mbështesë policinë në gjetjen e fëmijëve të humbur duke shpërndarë informacione për fëmijën dhe rrëmbyesin e mundshëm, për të gjetur sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurtë fëmijën që ka humbur.
Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zbatojë sinjalin, ndërkohë që në Europë, janë 20 vende që zbatojnë Sinjalin Amber për fëmijët e humbur.
Në Shtetet e Bashkuara, sinjali Amber shpërndahet nëpërmjet radiove publike dhe private, radiove satelitore, radiove në internet, mesazheve në celular, stacioneve televizive, Sistemit të Paralajmërimit të Emergjencave dhe NOAA Wather Radio i cili jep informacione të vazhdueshme për kushtet e motit.
Sinjalizimet lëshohen gjithashtu nëpërmjet postës elektronike, billbordeve (tabelat reklamuese) si dhe në aplikacionet të cilat tregojnë gjendjen e trafikut.



