Nutricionistja Albana Daka jep këshilla se si të detoksikojmë trupin pas abuzimit me ushqime gjatë festave të fundvitit.
Duke folur për emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo këshillon shmangien e ushqimeve të procesuara, ëmbëlsirave dhe shtimin e sallatave të mëdha dhe perimeve.
Këshillohet ngrënia në një fashe kohore më të shkurtër, të shmangen mishrat e procesuara, ëmbëlsirat dhe pijet e sheqerosura. Regjimi ka shumë rëndësi këto ditë për t’i dhënë kohë organizmit të vetëpastrohet. Duhen minimizuar proteinar shtazore, dhe të zëvendësohen me vakte vegjetariane me proteina bimore.
Sasia e ujit dhe çajrave bimorë duhet të jetë më e shtuar. Një dhjetë ditësh apo dy javë mjafton me këtë regjim për pastrimin e organizmit, por varet dhe sa kemi abuzuar. Duhet të ulim dhe sasinë e kafeinës, pasi rrit faktorët e dehidrimit në organizëm. Regjimi ushqimor, aktiviteti fizik dhe cilësia e gjumit janë tre elementët thelbësorë për një shëndet të mirë.
Duhen shtuar perimet dhe kryesisht sallatat e mëdha, pa praninë e soseve dhe kremrave të shtuara. Mundësisht me pak vaj ulliri, kripë, limon dhe erëza. Sa më shumë erëza t’i shtojmë, ulim nevojën për sasinë e kripës, e cila kur merret me shumicë tenton të mbajë lëngje. Vakti duhet filluar me një sallatë të madhe.
Brumërat duhet të minimizohen në maksimum. Mbingrënia ngarkon sistemin tretës se truri fillon në kokë dhe mbaron në zorrë. Niveli i serotoninës prodhohet në sasi shumë të ulët, kur kemi një zorrë të ngarkuar dhe kjo e çon organizmin në një gjendje të lehtë depresive.
Ndaj këshillohet një regjim i shëndetshëm mesdhetar, duke minimizuar brumërat dhe shtuar perimet dhe sallatat e mëdha. Sistemi ynë tretës është themelor, se aty përfundon gjithë sistemi nervor.



