Shkencëtarët gjermanë të Universitetit Martin Luther i Halle-Wittenberg, po planifikojnë organizimin e një koncerti për të kuptuar nëse këto evente janë burim për përhapje të virusit ose jo.
Ata i kanë bërë thirrje 4000 qytetarëve të marrin pjesë në koncertin e Tim Bendzko, këngëtar gjerman pop, në stadiumin e Leipzig.
Ky projekt ka një kosto prej 1.1 milionë euro dhe quhet Restart-19.
"Ne po mundohemi të zbulojmë nëse mund të ketë një rrugë të mesme midis normales së vjetër dhe asaj të resë që do t'i lejonte organizatorët të pranonin mjaftueshëm njerëz në një koncert", tha drejtuesi i universitetit për sëmundjet klinike infektive, Stefan Moritz, i cili po bashkëdrejton projektin.
Në faqen online të universitetit, është shprehur se ndalimi i turmave është kërcënim ekzistencialist për atletë dhe artistë, të ardhurat e të cilëve varen nga audienca e gjerë.
Kushtet:
Pjesëmarrësit për Restart-19 duhet të jenë nga mosha 18 deri në 50 vjeç dhe të jenë negativë ndaj virusit 48 orë para eksperimentit.
Të gjithë do të pajisen me maska.
Do të organizohen tre koncerte: një pa distancim social, tjetri me hyrje të ngadaltë në koncert dhe me masa higjienike dhe versioni i fundit do të jetë ku pjesëmarrësit do të ulen larg njëri-tjetrit për të ruajtur distancën.
Shkencëtarët do të përdorin dezinfektant duarsh fluoreshente në mënyrë që të dallohen sipërfaqet e prekura dhe të rrezikshme.
Gjithashtu do të ketë një mjegull artificiale që do të tregojë si koronavirusi përhapet nga aerozolet.
Faqja e universitetit thotë se rreziku i infektimit me COVID-19 duke marrë pjesë në koncert do të jetë shumë i ulët, por nuk jep garanci për mungesë rrezikshmërie.
Nëse gjithçka shkon mirë, shkencëtarët shpresojnë të paraqesin gjetjet e tyre bazuar në të dhënat, në muajin tetor./ Business Insider



