
Banorët e fshatit Zëmblak në Maliq jetojnë çdo ditë me një hall të madh, mungesën e ujit të pijshëm. Prej dekadash, ata përballen me një paradoks të dhimbshëm. Burimet e ujit janë aty pranë, por rubinetat e shtëpive të tyre mbeten bosh. Situata është kthyer në padrejtësi të hapur, që sipas tyre lidhet me interesa politike dhe shpërfillje nga pushteti vendor e qendror.
“Nuk na sjellin ujë se jemi demokratë,” thotë një prej banorëve për emisionin “Fol” të gazetarit Erjon Skëndaj, duke shprehur haptazi ndjesinë e diskriminimit që i rëndon prej vitesh mbi fshatin. Për ta, kjo nuk është thjesht mungesë investimesh, por një lloj ndëshkimi të qëllimshëm.
Eduart Kulla, kryetar i fshatit Zëmblak thotë se “këtu në fshatin Zëmblak kanë shpuar puse, dhe kanë marrë ujë gjithë fshatrat e bashkisë Maliq dhe komuna Pojan. Zëmblakun e kanë lënë pas dore, pasi Zëmblaku s’është ngritur asnjëherë në protesta. Kjo është protesta e dytë dhe janë zotuar tani që do t’i bëjnë. Problemi i madh është uji i pijshëm. I kemi kërkuar edhe kryetarit të bashkisë dhe institucioneve të tjera. Janë prerë dy linjat që kanë qenë. Burimi është i gatshëm me tubacione, edhe ikën kot uji”.
Ironia është therëse, ndërsa Zëmblaku vuan për ujë, fshatrat përreth furnizohen pikërisht nga burimet e tij.
“Këtu ka ujë sa të duash, marrin edhe fshatrat përreth, e vetëm Zëmblaku nuk ka ujë,” shtojnë banorët, të cilët çdo ditë detyrohen të blejnë ujë për nevojat bazë të familjeve të tyre.
Pasojat janë të rënda. Fëmijët rriten pa pasur qasje në ujin e pastër, të moshuarit vuajnë më shumë, ndërsa tokat mbeten të tharë. Për komunitetin, mungesa e ujit është bërë plagë që varfëron jetën dhe ul dinjitetin.
Banorët nuk kërkojnë as mëshirë, as favore. Ata kërkojnë të drejtën më elementare, ujë për jetën e përditshme dhe për tokat e tyre. “Duam thjesht të jetojmë si gjithë të tjerët,” thonë ata, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë ta ngrenë zërin derisa të dëgjohen.



