Pasi tërmeti i 2019, i cili shkaktoi dëme të mëdha në shumë banesa, nisi procesi i rindërtimit për familjet e prekura. Por jo për të gjithë ky proces ka qenë i drejtë dhe i qartë. Në fshatin Gjorët të Laçit, banesa e zotit Gëzim Paja u dëmtua rëndë nga tërmeti. Me nisjen e rindërtimit, autoritetet konstatuan se në këtë banesë jetonin dy kurora familjare: ajo e Gëzimit dhe e djalit të tij, Aurel Paja. Megjithatë, ndonëse Aureli prej vitesh jeton më vete me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ai nuk ka marrë asnjë përgjigje të qartë nëse përfiton apo jo një banesë nga programi i rindërtimit. Përpjekjet e tij për të marrë sqarime në bashki kanë mbetur pa përgjigje. Gëzim Paja tregon për momentin kur tërmeti i shkatërroi shtëpinë dhe për procesin e rindërtimit. Ai shprehet se, edhe pse banesa u rindërtua, djali i tij vijon të jetojë në kushte të vështira, pa përfituar një shtëpi.
Xhadat shkojnë në banesën e përkohshme ku jeton Aureli. Ai na tregon kontenierin 3 me 4 metra ku jeton me familjen. Ai shprehet se nuk ka marrë kurrë përgjigje zyrtare për banesën. Në oborr, ai ka ndërtuar një kuzhinë të improvizuar dhe një tualet të vogël. Kushtet janë të vështira, sidomos për fëmijët. Xhadat shkojnë në Bashkia Kurbin dhe kërkojnë një shpjegim. Nga përfaqësuesit e bashkisë marrim një lajm pozitiv: Këshilli Bashkiak ka miratuar dhënien e një banese për Aurelin. Megjithatë, sipas tyre, çështja ka mbetur pezull në Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, konkretisht në drejtorinë e rindërtimit, për shkak të mungesës së fondeve. Të paktën tashmë, Aureli e di se është përfitues në dokumente.Xhadat shkojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për një përgjigje zyrtare.
Por aty refuzohet dhënia e një deklarate dhe kërkohet që çdo kërkesë të bëhet me shkrim.
Në fund, Aureli falënderon Xhadat, duke thënë se për herë të parë ka një përgjigje konkrete: “Falë jush mësova se jam në listën e pritjes për një shtëpi. Në dokumente ekziston një banesë për mua.”



