Dymbëdhjetë raste të reja me Covid-19 janë shënuar brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 148 persona.
Lajmi është publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në vend. Kjo shifër ka shënuar ulje të rasteve, krahasuar me ditët e mëparshme kur raportohej mbi 20 raste në ditë.
Mësohet se nga 12 personat e infektuar, 7 janë nga Shkupi dhe 5 nga Kumanova. Gjithashtu, në mesin e të infektuarve rezultojnë edhe tre policë.
Ministri i Shëndetësisë,Venko Filipçe ka thënë se gjendja e personave të prekur me koronavirusin është e qëndrueshme dhe pa shenja të përkeqësimit.
“Institucionet shëndetësore, janë në gjendje të përballen me rritje të numrit të të infektuarve, por kjo betejë siç është shprehur ai, nuk do të mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor”, deklaroi ai.
Rreth 2 mijë persona janë në vetizolim, shumica nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë në institucione të ndryshme shtetërore.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar masa të reja të cilat sipas saj kanë për qëllim pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Masat parashikojnë ndalimin e grumbullimit të më shumë se pesë personave në vende publike, parqe e hapësira tjera të hapura.



