
U përurua sot Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi këtë një investim shumë të rëndësishëm, i cili sjell një tjetër standard të lartë në shërbimin dhe menaxhimin e sistemit të Mbrojtjes Civile në Shqipëri.
Ministri i shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për angazhimin e Italisë në situata emergjente dhe kritike si ajo e tërmetit të vitit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë COVID- 19.
Ambicia jonë është e madhe, së bashku me bashkinë e Tiranës ne jemi përkrah në këtë hap të parë që do të shoqërohet më tej, nga një program shumë më i madh prej 30 milionë euro, në kuadër të një ndihme prej 95 milionë euro, dhe këtu Italia ka rolin e liderit. Pra, kemi bërë hapin e parë për të shkuar drejt një sistemi vërtetë modern, bashkëkohor të mbrojtjes civile për t’ju përgjigjur në kohë, krah për krah me bashkitë që janë në frontin e parë me emergjencat civile, çdo lloj fatkeqësie natyrore e për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes sqaroi se “në këtë qendër do të ketë vendin e vet çdo institucion përgjegjës për Mbrojtjen Civile dhe sapo të merret thirrja për një rast fatkeqësi do të jetë këtu për të bashkëpunuar edhe fizikisht”.
Peleshi njoftoi se falë projektit tjetër do të nisin investimet edhe në bashkitë e vendit, për të bërë të mundur një reagim të menjëhershëm dhe profesional në raste zjarresh apo përmbytjesh.
Drejtori i Përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako shpjegoi se Qendra Kombëtare e Operacionale Emergjencave Civile ka kapacitet për 12 operatorë nga forca të ndryshme që janë të përfshira në operacione në terren, sipas ministrive të ndryshme, në varësi të ndodhjes dhe llojit të emergjencës.
Sipas tij, ky inaugurim duhet të jetë fillimi i një rruge zhvillimi progresiv që do ta sjellë Shqipërinë në një shkallë të mjaftueshme autonomie në menaxhimin e krizave.
Qendra e re u bë e mundur falë grantit prej 1 milion euro, të vënë në dispozicion nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm kryetari i Dhomës Italiane, Roberto Fico, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Buçi dhe Drejtori i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Luca Maestripieri.



