
Për dhunën fizike dhe seksuale ndaj vogëlushes 5-vjeçare nga Kamza janë përgjegjës të dy prindërit. Alma Tandili, drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, në një intervistë përmes Skype-it me studion e lajmeve në MCN TV, tha se rasti është shokues dhe flet për dhunë të pranuar në familje, çka ngarkon me përgjegjësi edhe nënën.
Kemi të bëjmë me një krim të fshehur brenda familjes. Është një ngjarje shokuese. Denoncimin e ka bërë vetë shëndetësia dhe jo nëna. Dhunuesi ka njoftuar nënën e vajzës duke i thënë që është shumë rëndë. Ne kemi një krim të fshehur dhe vajza ka përfunduar atje për shkak të gjendjes së rëndë. Kemi të bëjmë me dhunë të pranuar në familje.
Tandili tha se nisur nga raste të tilla është kërkuar prej një viti ashpërsimi i Kodit Penal.
Është një lobim i fuqishëm edhe nga CRCA. E kemi çuar në Parlament, me komisione ligjore. Po rishqyrtohet. Ne kemi kërkuar forcimin e Kodit Penal për raste të tilla. Kërkohet dënimi maksimal. Raste të tilla janë emocionalisht shokuese. Nuk ka justifikim një veprim i tillë.



