
Qeveria shqiptare ka nisur drejt Turqisë një mision ndihme nga Forcat e Armatosura dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të cilit janë 88 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 9 mjete të cilët do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Teksa shprehu mirënjohjen edhe në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion, ministri Peleshi, i cili përcolli pjesëtarët e ekipit tha se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falenderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë.



