Aktivisti Edison Lika thotë se qeveria ka dy standarde në raport me pronën publike. Duke komentuar në studion e MCN Informacion aksionin e policisë për lirimin e hapësirave publike, Lika tha se ai nuk është iniciuar nga ankesat e qytetarëve.
Përderisa asnjë banor i zonës nuk ka pretendime, nuk kemi të bëjmë me tokë të xanun siç thotë qeveria.
Në këto vende nuk mund të ketë ndërtime me llaç e beton. Por po shkatërrohen edhe ato që janë ndërtuar me dru, në harmoni me natyrën dhe mjedisin.
Lika tha se aksione të ngjashme të qeverisë “Rama” në mandatet e kaluara nuk e kanë sjellë rezultat.
Le të marrim aksionet e qeverisë Rama. Aksioni kundër kanabisit solli kanabizimin e gjithë vendin. Aksioni kundër lojërave të fatit solli lojërat e paligjshme në masë.
Duhen ndarë ndërtimet pa leje nga bar-kafet që merren me dakordësinë e autoriteteve lokale. Ka zaptim të pronës publike. Kemi Sazanin, kemi investitorët strategjikë. Por për këto modele flitet më pak se kurrë. Objekt i sulmit janë bërë qytetarët e thjeshtë që kanë një bujtinë.
Nëse ju kujtohet zoti Rama me sëpatë në dorë. E ka nisur karrierën politike kështu. Para ca vitesh kishim edhe ndërtimet me kate pa leje. Secili prej nesh e di se ato janë përfunduar. Sepse këtu biznesi i madh trajtohet si i nënës, ai i vogël si i njerkës. Nëse flasim për pronë publike, atëherë pse nuk flasim për Sazanin që i dhurohet dhëndrit të Trumpit. Hapësira publike po zaptohet përmes kësaj logjike ekonomike.
Sipas tij, ky aksion është thjesht shou i një kryeminstri që ka dalë nga zgjedhjet e radhës akoma më i fortë se në mandatin e kaluar.
Kemi të bëjmë me shoun e radhës, atë të një kryeministri që ka tashmë 84 mandate. Nuk do të jetë veprimi i parë. Ai do të duket si personi që ka në dorë jetën e secilit prej nesh.



