Grupi Rolling Stones të shtunën do t’i bashkohet një transmetimi televiziv në të gjithë botën së bashku me yje të tjera në shenjë nderimi për stafet mjekësore të vijës së parë në luftën kundër Covid-19.
Një aktivitet që pritet të zgjasë për rreth dy orë, me moton: “Një botë, të gjithë në shtëpi”, ka bashkuar muzikën dhe komedinë me rrëfimet e mjekëve dhe të infermierëve, i cili do të transmetohet në televizione të shumta në Amerikën e Veriut dhe në shumë media ndërkombëtare.
“Ne jemi të nderuar për pjesëmarrjen tonë në këtë aktivitet”, deklaroi grupi përmes një deklarate për mediat.
Përveç Rolling Stones, këtij aktiviteti i janë bashkuar edhe Celine Dion, Billie Eilish, John Legend, Elton John, Paul McCartney, Chris Martin, Andrea Bocelli dhe Michael Buble.
Ky aktivitet do të paraprihet nga një transmetim live prej gjashtë orë me paraqitjen e shumë yjeve sportive, duke përfshirë edhe kampionin britanik të garave në Formula 1, Lewis Hamilton, aktorë dhe ndikues të rrjeteve sociale.
Të gjithë këta personalitete botërore do të shfaqen nga distanca të ndryshme për shkak të distancimit fizik dhe masave të marra për bllokimin e vendeve me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Aktiviteti synon inkurajimin e filantropëve dhe kompanive të mëdha të biznesit që të kontribuojnë në fondin e OBSH-së kundër luftës së virusit Covid-19.
Lady Gaga, javën e kaluar, deklaroi se ishin mbledhur më shumë se 35 milionë dollarë.



