Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar të mërkurën se bota mund të përballet me një krizë urie në të ardhmen, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Guterres tha se sistemet tona të ushqimit janë duke dështuar për shkak të izolimit dhe pasojat ekonomike të Covid-19, i kanë përkeqësuar gjërat.
Ai u shpreh se OKB paralajmëron se rreth 49 milionë persona mund të përballen me varfëri ekstreme këtë vit për shkak të pandemisë.
Nëse nuk merren hapa të menjëhershëm – thotë ai- është e qartë se do të ketë një emergjencë globale për furnizimin ushqimor në të ardhmen dhe mund të ketë ndikim afatgjatë në miliona fëmijë dhe të rritur.
Banka Botërore ka vlerësuar më 8 qershor se 71 milionë deri në 100 milionë njerëz do të përballen me varfëri ekstreme për shkak të pandemisë .
Guterres ka bërë thirrje për mbrojtje më të mirë të punëtorëve në sektorin e ushqimit, për më shumë mbështetje për prodhuesit e ushqimit dhe për shmangie të pengesave në zinxhirin e transportit, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare tek ata që kanë nevojë.



