Legjenda e rock-ut Mick Jagger dhe Will Smith do t’i bashkohen të dielën dhjetra yjeve ndërkombëtare dhe atyre të Bollywood-it në një koncert bamirësie për të mbledhur fonde në ndihmë të betejes kundër koronavirusit në Indi, ku numri i rasteve të reja po vazhdon të rritet.
Sportisti Virat Kohli, aktorët Priyanka Chopra dhe Shah Rukh Khan janë disa prej emrave kryesorë vendas që do interpretojnë ose do lexojnë disa mesazhe nga shtëpitë e tyre.
Koncerti është organizuar nga drejtorët e Bollywood, Karan Johar dhe Zoya Akhtar, i cili pritet të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook dhe do i dedikohet të gjithë atyre personave që po përballen në vijën e parë të luftës kundër pandemisë.
Ky koncert synon të mbledhë miliona dollarë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre sektorëve dhe njerëzve që ofrojnë ushqim dhe shërbime të tjera thelbësore gjatë kësaj krize pandemie.
“Ndihma është e nevojshme për të gjitha ata persona që sot s’kanë një punë, shtëpi dhe nuk e dinë se kur mund të vijë vakti i radhës i ushqimit të tyre”, thanë organizatorët.
1.3 miliardë njerëz në Indi janë izoluar që nga data 25 mars, për shkak të masave të marra kundër pandemisë dhe që pritet të zgjasin të paktën deri në 17 maj.
Izolimi i vendit ka dëmtuar miliona punëtorë emigrantë, të cilët janë bllokuar në shumë qytete pa ushqime dhe më shumë pak para.
Autoritetet të shtunën më në fund kanë organizuar transportin hekurudhor për të ndihmuar këtë punëtore që të kthehen në shtëpitë e tyre.
India ka raportuar deri më tani 37 mijë e 335 raste me Covid-19 dhe 1 mijë e 218 viktima. Megjithatë, vendi deklaroi 2 mijë raste të reja me koronavirus brenda 24 orëve të fundit.
Ekspertët i druhen mungesës së testimeve dhe procedurave të dobëta të raportimit, ndërsa shprehen se numri i vdekjeve si pasojë e virusit është shumë më i lartë nga sa është raportuar.
Qeveria ka njoftuar disa aktivitete speciale për të siguruar mbështetje për të gjithë ata persona që po përballen në vijën e parë të luftës me virusin Covid-19.



