Ekspertët e Komitetit Teknik kanë hedhur poshtë spekulimet për qarkullimin më herët të virusit Covid-19 në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama, pyeti mjekët nëse janë të vërteta fjalët që koronavirusi ka hyrë në vendin tonë që në muajin janar.
Mjeku Andi Korriqi i tha Ramës që mendon se sëmundja ka ardhur në Shqipëri nga Italia dhe nuk beson se ka qenë në Shqipëri më parë.
Ndërsa, mjeku Tritan Kalo shtoi se duhet bërë një analizë më e thellë e sëmundjes dhe të tjera detajeve.
PJESË NGA BISEDA:
“Në opinionin tim dhe nga rezultatet që kam parë nuk mendoj që kemi pasur Covid më përpara. Sëmundja ka ardhur nga fqinji ynë pasi ka filluar në Itali, pastaj ka ardhur tek ne. Nga rezultatet shoh që nuk është një pjesë e lartë e popullsisë që e ka kaluar për faktin se edhe në personat në risk kemi këto shifra, 10-11 %”, tha prof. Andi Koraqi, shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT.
“Për fillimin e epidemisë në vendin tonë duhet të plotësohen disa faktorë. Së pari është faktori epidemiologjik, pra kur ke izoluar rastet e para. Së dyti është faktori serologjik, nëse një përqindje e caktuar e popullatës e kapërcen pragun e 15-20% që janë infektuar më parë që prof. Andi na e shprehu që nuk është arritur në ato vlera. Së treti duhet kombinuar me klinikën e të sëmurëve të cilët janë paraqitur në shërbimin infektiv, ose shërbimin ambulator apo shërbimet e tjera spitalore që përkojnë për nga klinika me SarsCov 2. Tjetër element është shtimi i vdekjeve nga infeksionet respiratore në këto kohë dhe nuk më rezulton i tillë në raport me periudhën pas deklarimit të rastit të parë. Duhen kombinuar disa element së bashku dhe një analizë mes specialistëve për t’i shtrirë këto kufinjtë kohorë para datës së përcaktuar si fillimi pandemisë Sars Cov 2 në Shqipëri”, tha prof. Tritan Kalo.
“Vëmendja jonë që në fund të muajit dhjetor ka qenë e rritur duke kërkuar raste kryesisht të importuara dhe qoftë muaji janar, qoftë muaji shkurt nuk kishim raste të shtuara. Ajo që vlen për t’u përmendur është që ne nuk mund të kishim raste të shumta ateherë kur masat i kishim të pakta dhe të kemi më shumë raste tani që masat i kemi të shumta. Ndaj i përgjigjiem zyrtarisht kësaj pyetje që në shërbimin infektiv nuk mund të ketë pasur kurrsesi persona të infektuar nga Covid”, konfirmoi prof. Najada Çomo.



