Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar sot ndryshimin në krye të Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, ku pas 13 vitesh bashkëpunimi me drejtuesen e deritanishme Zhaneta Beqiri, këtë detyrë e merr Arjola Byzyka.
Në reagimin e tij publik, Veliaj shprehu mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar të drejtueses së larguar, ndërsa e cilësoi Byzykën si një profesioniste, aktiviste të palodhur dhe të përkushtuar për të vijuar punën e nisur.
Krahas emërimit të ri, kryebashkiaku dha edhe një njoftim të rëndësishëm financiar për familjet e kryeqytetit, duke deklaruar se duke nisur nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet publike në Tiranë do të jenë falas, me synimin për të mbështetur prindërit dhe për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët.
REAGIMI
Pas 13 vitesh bashkëpunimi me Zhanetën dhe me mirënjohje për kontributin e saj në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve, Arjola Byzyka merr sot drejtimin e kësaj drejtorie, duke vijuar punën e nisur ndër vite.
Një nënë e dashur, profesioniste, aktiviste e palodhur dhe e përkushtuar në çdo detyrë që i ngarkohet.
Këtij ndryshimi i bashkohet edhe një lajm i bukur për të gjitha familjet: Nga viti 2027, çerdhet dhe kopshtet do të jenë falas! Një tjetër hap i rëndësishëm në mbështetje të prindërve dhe në krijimin e më shumë mundësive për fëmijët tanë.
