
112 vjetori i Shkollës Normale të Elbasanit, u përkujtua sot nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në ceremoninë përkujtimore të Shkollës Normale që mban emrin Shkolla e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”.
“Përkujtuam sot me shumë përulje e respekt 112-vjetorin e Shkollës Normale, e cila ishte shkolla e parë që përgatiti mësues të gjuhës shqipe për të gjitha trojet shqiptare”, u shpreh ministrja Kushi.
Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj ka shprehur mirënjohje për punën e palodhur të çdo mësuesve që përcollën vlerat më të larta atdhetare dhe qytetare në të gjithë kombin shqiptar, ndërkohë që ka nënvizuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka si objektiv që të ketë jo thjesht mësues, por mësues cilësorë.
“Është detyrim i yni për të përgatitur jo thjesht mësues, por mësues cilësor. Të nxisim tek brezat rinj dashurinë dhe pasionin për profesionin e bukur të mësuesisë”
“Vërtetë është një profesion që nuk të bën të pasur, por të pasuron mendjen dhe shpirtin. Mësuesia është profesioni që të fisnikëron më shumë se çdo profesion tjetër”, shprehet ministrja.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, Prefektja e Qarkut Elbasan, Majlinda Periu, ish-nxënës e ish-mësues të Shkollës Normale, si dhe nxënës e mësues.



