
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 15 Majin, si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, si mesazh ndërgjegjësimi për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, lidhur me shënimin e kësaj dite, informoi sot se përmes strategjisë së deinstitucionalizimit, ekipet e MSHMS-së po punojnë çdo ditë që të gjithë fëmijët e institucioneve të përkujdesit social, të kenë një familje.
Manastirliu njoftoi se në Ditën Botërore të Familjes, një vogëlush nisi sot një jetë të re në strehëzen e dy prindërve që mezi kanë pritur ta birësojnë.
Sot, në Ditën Botërore të Familjes, nis një jetë e re për këtë vogëlush, që do të gjejë ngrohtësinë e dy prindërve që mezi kanë pritur ta birësojnë. Pas një viti qëndrimi dhe përkujdesi me dashuri nga stafi i përkushtuar i Shtëpisë së Foshnjes “Hannah dhe Rozafa”, jemi të lumtur që një tjetër foshnje ka gjetur strehën e ngrohtë familjare.
Qëllimi i shënimit të 15 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.



