Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka komunikuar këshilla të reja mbi përdorimin e maskave mbrojtëse, duke shprehur se ato duhet të mbahen edhe në vende publike për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
Organizata gjithmonë kishte këshilluar që maskat për fytyrën të mbahen vetëm nga individët e infektuar dhe nga ata që kujdesen për ta, pasi nuk kishte mjaftueshëm prova që ato duhen mbajtur dhe nga njerëzit e shëndetshëm.
OBSH komunikoi informacionet e reja, të cilat treguan se ato mund të sigurojnë “një pengesë për përhapjen e spërklave infektuese”.
Disa vende të botës tashmë rekomandojnë ose mandatojnë përdorimin e maskave mbrojtëse në publik.
Dr Maria Van Kerkhove, ekspertja kryesore teknike e OBSH-së për Covid-19, shprehu për agjencinë e lajmeve Reuters se rekomandohet që njerëzit të mbajnë një maskë pëlhure, pra një maskë jo-mjekësore në zonat ku ekziston rreziku i transmetimit të semundjes.
Në nivel global, ka pasur 6.7 milion raste të konfirmuara të koronavirusit dhe gati 400,000 vdekje që kur pandemia filloi në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins”.



