Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë sjellë grumbullim të madh të ujit në disa rrugë të brendshme të qytetit të Gjirokastrës, si dhe në hyrje të tij, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve. Problematika paraqitet më e theksuar në aksin Gjirokastër–Virua dhe në Gërhot.
Rrugët janë mbushur me ujë, ndërsa krijimi i pellgjeve të mëdha e bën të vështirë kalimin e mjeteve. Në disa segmente lëvizja paraqitet problematike, ndërsa situata rëndohet nga mungesa e shkarkimit të shpejtë të ujit përmes pusetave, të cilat janë të bllokuara.
Reshjet intensive rikthejnë shqetësimin për përmbytjen e rrugëve në qytet, duke vënë në vështirësi drejtuesit e automjeteve. Ndërkaq, në qendër të qytetit është krijuar trafik i rënduar, ndërsa këtë mbrëmje nuk ka prani të policisë për menaxhimin e tij.



